Zemaj: S’lejohen tubimet, dënime kush s’respekton masat

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk e përjashton krejtësisht mbylljen në rast se rriten numrat e të infektuarve me COVID-19. Por, thotë se është opsioni i fundit megjithëse mbylljen totale nuk e sheh si zgjidhje.

Deklaron se të gjitha institucionet duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim të njerëzve, pasi kjo paraqet rrezik për përhapjen e virusit.

I pari i Shëndetësisë ka deklaruar se mosrespektimi i masave është një ndër shkaqet e rritjes së rasteve. Ka paralajmëruar se do të ketë dënime për gjithë ata që nuk respektojnë ligjin dhe masat anti-COVID.

Gazeta Express: A po i afrohet Kosovës vala e dytë e Covid-19?

Armend Zemaj: Përderisa e gjithë bota po ballafaqohet me shtim enorm të rasteve, rritjes së numrit të të infektuarve, edhe Kosova mund të ketë fazë të re të Covid 19.

Por, asgjë nuk do t’i lëmë rastit, do të jemi kudo dhe kurdo së bashku, inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, parandalimi dhe pengimi është prioritet, por edhe gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të zbatohet me përpikëri, pa përjashtim.

Secili institucion të ketë veprime në pajtim me ligjin dhe në ditët në vijim do të ketë raportim për aktivitetet e ndërmarra për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe viruseve tjerë eventual, mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës së pandemisë.

Mgid

RAID: SHADOW LEGENDS
Realistic Game That Exploded The Internet!
LEARN MORE→
Gazeta Express: A janë të përgatitura institucionet e Kosovës për ta përballuar një valë të re të infektimeve?

Jemi duke u përgatitur, në mënyrë që rrjedha e pandemisë në ditët dhe muajt në vijim mos të na zë të pa përgatitur.

Në QKUK, përveç stafit aktual, ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.

Janë vazhduar kontratat për 200 punëtorët shëndetësorë dhe për tre muaj, po që përkrahja financiare për mantel bardhët do të vazhdoj edhe në muajt e ardhshëm.

Kemi shpallur konkursin për 1.500 specializantë, duke përfshirë këtu edhe rreth 70 vende për kuadrin nga Lugina e Preshevës (konkursi është në përfundim), derisa përmes riorganizimit të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga Banka Botërore) kemi rekrutuar edhe 375 profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore dhe staf mbështetës, në funksion të fuqizimit të kapaciteteve njerëzore profesionale kundër Covid-19. Po ashtu edhe 75 inspektorë shtesë tashmë janë në terren.

Jeni informuar se tashmë çdo ditë kemi numër të konsiderueshëm të rritjes së testimeve, mbi 1 mijë testime brenda 24 orëve, gjithnjë sipas kërkesave dhe nevojave që janë paraqitur. Kapacitetet testuese do të rriten nëse ka kërkesa, në fund të muajit janë siguruar 7 pajisje PCR që do shërbejnë të ndara për qendrat regjionale.

Jemi në angazhuar për zgjerimin e kapaciteteve spitalore. Kanë përfunduar procedurat projektuese, për spitalin Covid, javën tjetër sigurisht do të nisin dhe procedurat e shpejta të tenderimit, me mundësinë që të pranojë akomodojë rreth 500 shtretër dhe, pas përfundimit të Covid-19, i njëjti t’i kthehet destinimit fillestar. Kemi edhe një procedurë tjetër brenda QKUK-së të shtojmë kapacitete në shtretër, diku të ketë edhe 100 shtretër shtesë. Pra, angazhimi nuk do të mungoj për asnjë moment.

Gazeta Express: Çka po ndikon në rritjen e rasteve pozitive me Covid ditëve të fundit?

Armend Zemaj: Kemi një rritje të lehtë të rasteve me Covid 19, por kjo nuk na bën të ndihemi mirë kur shumë shtete të BE-së dhe rajonit kanë shënuar rekorde të numrit të rasteve, megjithëse disa shtete, tash vendin tonë e kanë larguar nga lista me rrezikshmëri të lartë, gjë që mundëson ardhjen bashkatdhetarëve tanë. Mosdisiplina, mosrespektimi i masave, mund të jetë shkak i mundshëm i rritjes së numrit të të infektuarve. Prandaj, jemi të gatshëm dhe asgjë nuk do t’ia lëmë rastit.

Gazeta Express: A rrezikohet Kosova nga një mbyllje totale nëse shënohet rritje më e madhe e rasteve pozitive dhe vdekjeve?

Armend Zemaj: Mbyllja totale nuk është zgjidhje dhe se ajo mundet me qenë opsion i fundit.

U kemi bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë masat anti-Covid, por po e shohim që disa në gastronomi dhe administratë, nuk po i respektojnë masat anti-Covid.

Prandaj, me qarkore, i kemi informuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Shëndetësor, Inspektoratin Sanitar dhe palët tjera që kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën kundër virusit Covid 19, të zbatojnë vendimet e reja në pajtim me situatën.

Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim dhe rrezik për përhapjen e virusit, sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme, të panevojshme. Rekomandohet të përdoren format online të takimeve, të punës dhe aktivitetet tjera.

Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë me komunat dhe shtabet emergjente, duhet të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës. Së bashku, inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar për parandalim, ndërsa gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19.

Secili institucion të ketë veprime në pajtim me ligjin dhe në ditët në vijim do të ketë raportim për aktivitetet e ndërmarra për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe viruseve tjerë eventual, mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës së pandemisë. Ritheksoj se do të ketë mbyllje të menjëhershme për të gjithë ato biznese që nuk i respektojnë masat e reja.

Gazeta Express: Si po i ndihmoni qytetarët që janë me Covid dhe nuk kanë mundësi t’i përballojnë vetë shpenzimet rreth shërimit?

Armend Zemaj: Tri nivelet e përkujdesjes, disponojnë tërë kapacitetin për të qenë në shërbim të pacientëve, ashtu si dhe IKShPK me analiza dhe përcjellje të gjendjes. Edhe Shtabet emergjente në komuna dhe departamentet e shëndetësisë janë në shërbim të shëndetit të qytetarëve.

Pacientët e shtrirë në klinika, spitale, marrin përkujdesjen e nevojshme shëndetësore konform gjendjes së tyre klinike, ndërsa pacientet që nuk kanë nevojë për spitalizim, kanë qasje në QKMF-të e komunave përkatëse.

Po ashtu, kam marrë vendim që Listës esenciale t’i shtohen tri preparate të cilat janë të nevojshme për trajtimin e Covid 19, Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine, deri në përfundim të pandemisë, pacientët do t’i kenë pa pagesë këto tri barna esenciale për trajtimin efektiv të Covid 19.

Pra, të gjithë jemi në gatishmëri që çdo pacient, të marrë tërë kujdesin, në kohën më të shpejtë e me cilësi. Asnjë qytetar nuk mund të mbetet pa përkujdesje shëndetësore, pavarësisht gjendjes së tij ekonomike. Andaj, kërkohet ndërveprim i qytetarëve duke zbatuar masat anti-Covid, si dhe bashkëpunimi i të gjitha institucioneve qendrore e lokale, për parandalimin dhe luftimin me sukses të virusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *